Rama: Kemi bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës për diasporën shqiptare

Rama: Kemi bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës për diasporën shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka thënë se ndjehet mirë për bashkëpunimin që ka me Qeverinë e Kosovës për diasporën shqiptare.

Në një takim vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, ai  u shpreh se kanë bërë hapa kuptimplotë dy qeveritë.

“Duke filluar nga unifikimi i Abetares, duke vazhduar me tekstet shkollore për diasporën  të cilat janë tekste të unifikuara. Duke punuar për digjitalizimin dhe aksesin falas të nxënësve dhe mësuesve në diasporë në programet me teknologji të avancuar dhe deri tek shpërndarja e teksteve shkollore”.

“55 mijë tekste të shpërndara gjatë këtij viti janë një shifër jo e vogël nëse duhet ta marrim parasysh nga jemi nisur, por nuk janë një shifër e jashtëzakonshme marrë parasysh sa shumë fëmijë ka në diasporë”, ka thënë Rama.

Tutje, ai ka shtuar se zyrtarisht të regjistruar janë 20 mijë fëmijë që marrin mësim në kurset e gjuhës shqipe.

“Por ka shumë kurse të tjera që nuk janë të regjistruara ose për të cilat që nuk kemi marrë dijeni dhe përfitoj nga rasti t’i ftoj të gjithë që të bëjnë me dije institucionet lidhur me ekzistencën e kursit përkatës. Kemi krijuar regjistër të mësuesve në diasporë i cili pasurohet hap pas hapi dhe një databazë për studentët që besoj se ka shumë vend për t’u përmirësuar”, tha Rama.