SHBA-ja drejt mbylljes së qeverisë, republikanët dështojnë të miratojnë një plan financiar

SHBA-ja drejt mbylljes së qeverisë, republikanët dështojnë të miratojnë një plan financiar

Qeveria e Shteteve të Bashkuara po përballet me një mbyllje të mundshme, pasi Kongresi nuk arriti të miratojë një plan afatshkurtër për financimin e qeverisë.

Të enjten në mbrëmje, një plan i rishikuar i shpenzimeve i propozuar nga republikanët, i cili do të shmangte mbylljen, nuk kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve.

Për miratimin e tij nevojitej një shumicë prej dy të tretave, por 38 republikanë votuan kundër së bashku me shumicën e demokratëve.

Ish-presidenti Donald Trump kishte kundërshtuar një marrëveshje të mëparshme dypalëshe të arritur nga Kryetari i Dhomës, Mike Johnson, me demokratët, duke e quajtur atë një “tradhti”.

Kritikave të Trumpit iu bashkua edhe miliarderi Elon Musk, i cili e quajti marrëveshjen “kriminale” dhe loboi kundër saj.

Sipas BBC, plani i ri i propozuar nga Trumpi do të lidhte financimin qeveritar me një pezullim dyvjeçar të kufirit të borxhit federal, një masë që demokratët e konsideruan të papranueshme.

Pas dështimit të planit të fundit, Johnson dhe republikanët duhet të paraqesin një propozim të ri brenda më pak se 24 orëve për të shmangur mbylljen e qeverisë.

Megjithatë, përçarjet brenda partisë republikane dhe refuzimi i demokratëve për të mbështetur propozimet e reja e bëjnë situatën edhe më të ndërlikuar.

Nëse mbyllja ndodh, shumë agjenci federale do të ndalojnë funksionimin e tyre, ndërsa shërbimet thelbësore, si siguria kufitare dhe kontrolli i trafikut ajror, do të vazhdojnë.

Shumë punonjës federalë mund të mbeten pa paga, dhe disa programe ndihmash, si ushqimi për familjet në nevojë, mund të vonohen.

Kjo situatë përbën një test të madh për ndikimin e Trump mbi partinë republikane dhe për udhëheqjen e Johnson.

Përçarjet brenda partisë kanë ngritur dyshime mbi aftësinë e tij për të qëndruar si kryetar i Dhomës, duke rrezikuar pozicionin e tij vetëm disa ditë para votimit për lidershipin e ri të Kongresit.

Mbyllja e qeverisë, nëse ndodh, mund të ketë pasoja të rënda për miliona amerikanë dhe për stabilitetin politik të SHBA-së.