Gjykata Ndërkombëtare Penale të premten u bëri thirrje vendeve anëtare të ngriten kundër sanksioneve të vendosura nga presidenti i ShBA-së Donald Trump, duke thënë se masa ishte një përpjekje për të “dëmtuar punën e saj të pavarur dhe të paanshme gjyqësore”.
Shtëpia e Bardhë lëshoi urdhrin ekzekutiv të enjten në përgjigje të atyre që i quajti “veprime të paligjshme dhe të pabaza që synojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë Izraelin”. Ai i referohej urdhrit të arrestit që Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi vitin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me krimet e dyshuara të luftës në Gaza.
Gjykata me bazë në Hagë tha se “dënon” masën.
“Gjykata qëndron fort pranë personelit të saj dhe zotohet të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në mbarë botën”, tha gjykata në një deklaratë.
“Ne u bëjmë thirrje 125 shteteve tona palë, shoqërisë civile dhe të gjitha kombeve të botës që të qëndrojnë të bashkuar për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut”, thuhet tutje në deklaratë.
Urdhri thoshte se ShBA-ja do të imponojë “pasoja të prekshme dhe të rëndësishme” mbi ata që janë përgjegjës për “shkeljet” e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Veprimet mund të përfshijnë bllokimin e pronave e aseteve, dhe moslejimin e zyrtarëve, punonjësve dhe të afërmve të gjykatës për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Grupet e të drejtave të njeriut kritikuan gjithashtu vendimin.
“Sanksionet janë për shkelësit e të drejtave të njeriut, jo për ata që punojnë për të kërkuar llogari nga shkelësit e të drejtave”, tha në një deklaratë Liz Evenson, drejtoreshë e drejtësisë ndërkombëtare në Human Rights Watch.
“Urdhri ekzekutiv i Trumpit huazon një faqe nga libri i lojërave të Rusisë, i cili ka kërkuar të pengojë punën e gjykatës përmes urdhërarresteve kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të saj”, shtoi Evenson.