Preshevë, 6 mars 2025 – Kryetarja e Komunës së Preshevës, e shoqëruar nga delegacioni i komunës, realizoi një vizitë homazhi në Prekaz, në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari, të cilët dhanë një sakrificë të pashoqe për lirinë e Kosovës.
Vizita u realizua në një nga vendet më të shenjta të historisë së Kosovës, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u skalit përgjithmonë në histori me betejat e zhvilluara dhe me sakrificën supreme të familjes Jashari. Gjatë homazheve, delegacioni i komunës u prit nga baca Rifat Jashari, si dhe nga Bekimi dhe Luli, anëtarë të familjes Jashari, të cilët përçuan mesazhe të fuqishme për qëndresën dhe heroizmin që e karakterizoi këtë familje.
Kryetarja e Komunës së Preshevës shprehu mirënjohjen dhe respektin më të thellë për familjen Jashari dhe për të gjithë ata që dhanë jetën për liri. Ajo theksoi se angazhimi dhe sakrifica e UÇK-së mbeten një burim i përhershëm frymëzimi për shqiptarët, sidomos për ata që jetojnë në Luginën e Preshevës, ku ende vazhdojnë të sfidohen të drejtat dhe kërkesat për barazi dhe dinjitet.
„Qëndresa dhe lufta për liri e drejtësi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi gjatë periudhës më të vështirë të historisë sonë, na obligon të mbrojmë dhe të çojmë përpara idealet kombëtare. Ne, si shqiptarë, nuk mund të harrojmë sakrificat që na sollën lirinë. Angazhimi ynë për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është më i fortë se kurrë, dhe ne jemi të përkushtuar për t’i mbrojtur ato përmes çdo mundësie," theksoi kryetarja.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për vazhdimin e angazhimit për të realizuar të drejtat e plota për shqiptarët e Luginës, duke ruajtur dhe zhvilluar ato ideale që sollën lirinë, ashtu siç e bënë ata që dhanë jetën në Prekaz.
„Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lavdi familjes Jashari, që gjithmonë do të mbeten simbole të qëndresës dhe heroizmit të popullit shqiptar," shtoi ajo.
Kjo vizitë ishte një mundësi e shkëlqyer për të kujtuar dhe për të nderuar ata që kontribuan në lirinë e Kosovës dhe për të theksuar angazhimin e Komunës së Preshevës për të ruajtur dhe avancuar të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve në këtë trevë.