Organizata joqeveritare "Qendra për demokraci dhe zhvillim të jugut të Serbisë" ka organizuar një tavolinë të rrumbullakët me temë "Dialogu mbi Kosovën dhe jugun e Serbisë" në sallën e vogël te Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc.
Pjesëmarrës në këtë debat ishin:
Kryetari komunës së Bujanocit z.Shaip Kamberi
Zëvendës kryetari i komunës së Bujanocit z. Stojanca Arsic
Fatmir Hasani deputet
Përfaqësues nga Këshilli Kombëtar Shqipëtar
Përfaqësues nga partitë politike opozitare
Përfaqësues të bizneseve në komunën e Bujanocit, të rinjë dhe shoqata jo qeveritare.
Gjatë këtij debati u diskutua kryesisht në lidhje me problematikat e shqipëtarëve në luginë të Preshevës, të drejtat e shqipëtarëve, përfaqësimi i shqipëtarëve nëpër institucionet shtetërore, mospërfshirja e shqipëtarëve të luginës së Preshevës në debatet që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe u diskutua dhe çështja e presidentit të Serbisë z.Aleksandër Vuqiq që Republika e Serbisë të dalë me një plan për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Kryetari i komunës së Bujanocit Z.Shaip Kamberi u deklarua që debatet e këtilla nuk i zgjidhin problemet e shqipëtarëve mirëpo është me rëndësi që së paku të japim mendimin tonë në lidhje me këto çështje dhe se duhet që edhe institucionet shtetërore të ndërmarrin iniciativa në këtë drejtim.
Fatmir Hasani deputet u deklarua se tema të tilla janë tejet të rëndësishme dhe se përmirësimi i raporteve Kosovë-Serbi do të përmirsojë dhe pozitën e shqipëtarëve në luginë të Preshevës.
Galip Beqiri përfaqësues nga Këshilli Kombëtar Shqipëtar u shpreh se këto diskutime janë shumë të rëndësishme dhe se duhet të vazhdohet edhe më tej me qenëse në këtë mënyrë mund zgjidhim problemet e shqipëtarëve.
Projekti "Dialogu për Kosovën dhe jugun e Serbisë" ka për qëllim që përfaqësuesit politik dhe të bizneseve të deklarojnë qëndrimet e tyre, nevojat, problemet dhe idetë nga ana e rrethit në të cilin jetojnë në kontekstin e bisedimeve për Kosovën, si dhe ky debat do të mbahet gjithashtu në Preshevë dhe Vranjë.