Zëvendëskryeministri njëherit ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka përshëndetur deklaratën e anëtarit të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, i cili kërkon njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
“Duke pasur parasysh që Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë shtetet e vetme ish jugosllave që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njohja nga Bosnje dhe Hercegovina do të ishte një hap natyral dhe i domosdoshëm për thellimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, që do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin rajonal, gjithnjë drejt integrimeve Euro Atlantike si shtete moderne dhe demokratike”.
“Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Ne kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Serbinë. Sa më shpejtë kuptohet realiteti i një Kosove si shtet sovran dhe i pavarur, aq më i madh dhe i hovshëm do të ishte progresi dhe prosperiteti i gjithë Evropës Juglindore”, ka shkruar ai në Facebook.