Policia njofton se ka arrestuar pesë deputet

Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara pas pengimit të mbajtjes së seancës parlamentare, duke hedhur për herën e tretë gaz lotsjellës ...

Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara pas pengimit të mbajtjes së seancës parlamentare, duke hedhur për herën e tretë gaz lotsjellës nga deputet të caktuar brenda në seancë, Policia e Kosovës, bazuar ne vendimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës  ka ndërmarrë veprime profesionale për zbrazjen dhe kontrollimin e sallës së Kuvendit.

Policia në një komunikate për media ka bërë të ditur se, fillimisht, përmes zyrtarëve të sajë të autorizuar për punë brenda në Kuvend, ka kërkuar nga deputetët që në mënyrë të drejtë, vullnetare të dalin nga salla e Kuvendit ashtu siç kërkohej me vendim të kryesisë së Kuvendit të RKS-së.

Mirëpo, një gjë e tillë sipas Policisë, për lirimin e sallës së Kuvendit është refuzuar nga disa deputet, dhe se Policia e Kosovës është detyruar që të veprojë për zhvendosjen, e deputetëve nga salla, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.

“Po ashtu bazuar në urdhëresën e Prokurorisë, Policia e Kosovës ka shoqëruar në polici pesë (5) persona, deputet të cilët dyshohet se kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e parlamentit. Për sqarim të opinionit Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja, duke përfshirë edhe arrestimet e bëra  i realizon vetëm me urdhëresë të prokurorit kompetent, e jo të ndonjë institucioni tjetër”, thotë Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës thotë se, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.