Gjermanët nesër në Beograd e dërgojnë koncept-marrëveshjen për Kosovën

Nesër një delegacion gjerman në Beograd do të dërgoj konceptin e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për Beogradin dhe Prishtinën...

Nesër një delegacion gjerman në Beograd do të dërgoj konceptin e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për Beogradin dhe Prishtinën e cila duhet të nënshkruhet deri në fund të vitit, thotë Dushan Janjiq.

Përpos kësaj, presidenti i Forumit për Marrëdhëniet Etnike theksoi se delegacioni do të drejtohet nga Sekretari i Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Zyrtarët nga Berlini po vijnë me konceptin marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme në të cilën thuhet se nuk kërkohet nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës, por kërkohet që të mos parandalohet anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare”, ka thënë Janjiq, transmeton lajmi.net.

Themeluesi i Forumit ka shtuar se delegacioni gjerman viziton Beogradin edhe për të marrë mbështetje për pjesëmarrje në fazën e re të dialogut në mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili fillon në maj dhe që pritet të jenë të pranishëm përfaqësues të Berlinit dhe Uashingtonit.

Sipas tij, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje të detyrueshme ligjore duhet të pasojë një ndryshim i Kushtetutës.

“Qëndrimi i Forumit fillon nga fakti se dialogu dhe procesi i normalizimit të çon në zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës, kjo zgjidhje lejon realizimin e interesave të dyja palëve”.