Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka mohuar raportimet në mediat serbe për propozime të reja “të statusit të vëzhguesit të vendit tonë në OKB”.
Ai ka thënë se kjo propagandë po bëhet nga mediat serbe, por edhe nga mediat në Kosovë.
Pacolli në facebook ka shkruar se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për rajonin, BE-në është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja nga Serbia.
Postimi i plotë i tij:
Po vërej se si mediat serbe vazhdojnë propagandën e oborrit qeveritar serb, fatkeqësisht edhe nëpërmjet mediave të Kosovës, duke raportuar për kinse propozime të reja “të statusit të vëzhguesit të vendit tonë në OKB”.
Serbët dhe të gjithë të tjerët, që kanë njohuri procedurale të procesit të anëtarësimit në OKB e dinë shumë mirë se Kosova, me numrin e madh të njohjeve që i ka siguruar nuk ka vështirësi që ta sigurojë këtë status edhe sikur të aplikojë për të brenda këtij viti.
Andaj, e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate për Kosovën, rajonin, BE-në dhe komunitetin ndërkombëtarë është anëtarësimi i saj i plotë në Kombet e Bashkuara dhe njohja e saj nga Serbia.