Siç ishte raportuar më herët, kompania importuese “Euro Ida” kishte importuar mish të prishur, 12 vjet të vjetër, nga shteti i Belgjikës, saktësisht nga kompania belge “Veviba”, kompani kjo që tani është duke u hetuar nga Agjencia Federale e Ushqimit të Belgjikës.
Mirëpo, kompania “Euro Ida” nuk po del të jetë e vetmja që ka importuar mish të prishur për tregun kosovar.
Siç mëson lajmi.net, kompania e dytë e cila ka importuar mish nga “Veviba” është kompania nga Suhareka, “Beni” SH.P.K.
Ndryshe, në historikun e kësaj fabrike, thuhet se aktiviteti i saj ka filluar qysh në vitin 2000, me themelues Ruzhdi e Feriz Buzhalën. Aty shihet se kjo kompani ka pasur një gamë të gjerë prodhimi, mirëpo pas përfshirjes nga flaka, një pjesë e kësaj fabrike u dogj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, gjë që bëri vazhdimin e prodhimit, mirëpo në kapacitete më të ulëta.
Kjo kompani e cila ëshë themeluar në vitin 2000, dhe ku figuron se aktivitet primar ka përpunimin dhe konservimimin e mishit, dyshohet të jeta kompania tjetër në Kosovë e përfshirë në skandalin e mishit të prishur.
Një gjë e tillë është konfirmuar madje edhe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila sot në një komunikatë për media ka bërë të ditur që në kuadër të hetimeve për importimin e mishit të prishur në Kosovë, ka kryer kontrolle në dy lokacione, Rahovec dhe Suharekë, kjo e dyta lokacioni i kompanisë “BENI” SHPK.
“Prokuroria Themelore në Prizren, sipas detyrës zyrtare dhe në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, ka filluar hetimet kundër personave përgjegjës dhe subjekteve juridike, të cilat kanë importuar nga Belgjika sasi të mishit me cilësi të dyshimtë, në drejtim të veprës penale: “prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, nga neni 267, të KPRK-së.
Po ashtu, kjo prokurori përmes urdhrit të gjyqtarëve kompetent të procedurës paraprake në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren dhe inspektorët e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, ka kryer bastisje dhe kontroll në shtëpitë dhe lokalet e subjekteve juridike, njëra në territorin e Rahovecit dhe tjetra të Suharekës dhe ka sekuestruar provat e nevojshme për procedurë penale, si dhe sasi të mishit me afat të skaduar”, bëhet e ditur sot në këtë komunikatë.
Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me pronarin e kësaj kompanie, Ruzhdi Buzhala, mirëpo në momentin që këtij të fundit i është bërë me dije se për çka është thirrur, ai ka refuzuar të flasë duke e mbyllur telefonin.