Sekretari amerikan i Mbrojtjes deklaroi se sistemi anti-raketor rus S-400 nuk përputhet me standardet e NATO-s, prandaj Turqia duhet të rishikojë vendimin e saj.
James Mattis tha se blerja e sistemit rus S-400 është një zgjedhje e lirë e Turqisë, por Ankaraja duhet ta dijë se ky sistem nuk përputhet aspak me standardet e NATO-s. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka rikonfirmuar interesin e shtetit të tij për blerjen e sistemit mbrojtës raketor nga Rusia, përkundër shqetësimeve nga aleatët e Ankarasë në NATO.
Turqia së fundmi është pajtuar të blejë sistemin mbrojtës raketor, S-400, për të cilin NATO ka thënë se nuk mund të integrohet në sistemin mbrojtës të aleances. Edhe pse Turqia konfirmoi se do të vazhdoj me marrëveshjen në vlerë prej 2 miliardë dollarë, nuk pritet që ky sistem të shpërndahet në Turqi edhe për dy vite të tjera.
Kjo marrëveshje me Rusinë, mund ta bëjë Ankaranë subjekt të sanksioneve nga SHBA-të, të cilat së fundmi kanë njoftuar për disa sanksione për ministrinë e mbrojtjes ruse.