Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës.
Në mbledhjen e parë të Këshillit Komunal kemi shfuqizuar të ashtuquajturin “Planin Aksional” i cili është përfolur dhe përbuzur skajshmërisht në fushatën parazgjedhore nga të stërvjetëruarit politik.
Qëndrimet tona lidhur me temën në fjalë, tani më i kemi bërë të njohura në dhjetra, qindra komunikata, intervista, bisedime me qytetarët, prononcime pothuajse në të gjitha mediumet shqiptare. Fushata parazgjedhore e vitit të kaluar në mungesë të planeve dhe strategjive zhvillimore ka detyruar nomenklaturën e stërvjetëruar të ekzekutoj propaganda për vota të lira politike. Paradoksale ishte se aprovimi i të ashtuquajturit “plani aksional” është bërë në dhjetor të vitit 2016 në koalicionin qeverisës APN-PVD. Pas kapjes së pushtetit PVD që nga marsi i vitit të kaluar nuk pati të arsyeshme shfuqizimin e saj, ndërsa e tëra kjo është rezervuar ekskluzivisht si vegël për baltosjen e subjektit tonë në fushatën parazgjedhore.
Monstroziteti i tyre i zhvilluar në principet elementare të bazuara në sisteme (tipike) komuniste ka krijuar një klimë të frikshme për qytetarët e Komunës së Preshevës, duke aluduar në instinktet më të ulëta të njeriut se “Plani” po kolonizon Preshevën me serb nga Bosnja, Kroacia dhe Kosova. Të inkriminuarit komunal me insinuata të tilla kanë synuar situata të jashtëzakonshme, ku qytetarët e Komunës së Preshevës të sjellin vendime iracionale e cila do të materializohet me votat pro PVD, PDSH, BDL, UDSH dhe kundër të së ardhmës së tyre progresive. Andaj vetëm shtrembërimi i realitetit është metoda e tyre për ofertimin elektoral të planeve dhe programeve zhvillimore në Komunën tonë, meqë realiteti është përballja me dekadencën fatale, disfatën në të gjitha sferat; si rezultat i tyre të padenjë dhe antikombëtarë i shtrirë në dekadat e fundit.
Tani siç e dijmë të gjithë, misioni i tyre dashakeq nuk pati sukses sepse APN është forca më e madhe politike në Komunën tonë, dhe për këtë jam falënderues për gjithë qytetarët e Komunës së Preshevës, dhe mu për këtë përkulem nga veprimet e tuaja që nuk ratë preh e mashtrimeve, propangandave, denigrimeve dhe etiketimeve anticivilizuese të moçalit zhytës të stërvjetëruarve politik. Përmbysja e kësaj politike ka filluar qysh më 24 dhjetor, kur plani i tyre i konjukturave politike për ushtrimin e përvojave korruptive i ka skaduar afati.
Politika e tyre duhet ndërgjegjësohet dhe të pozicionohet qartë pranë zhvillimit dhe progresit të Komunës së Preshevës. Të ndalohet politika e tyre mashtruese e cila po nëpërkëmb qytetarët e Luginës! Këtu nuk kam aspak hamendje, ashtu siç nuk dyshoj aspak se Presheva do të ringjallet. Nuk dyshoj aspak se Presheva ka një Alternativë të mirë!
Preshevë, 27 mars 2018
Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës.
Ky është postimi në faqen zyrtare të Kryetarit të Komunës Shqiprim Arifi.