• E mërkurë / Apr-24 13:19
  • Kontakt

Vuçiq “nxjerrë” ushtrinë, ekspozohen armë të kalibrave të ndryshëm /FOTO

Ushtrimi taktik i forcave serbe ka filluar në poligonin ushtarak afër Paraçinit. Në këtë ushtrim po marrin pjesë katër brigada të forcave tokësore...

Ushtrimi taktik i forcave serbe ka filluar në poligonin ushtarak afër Paraçinit. Në këtë ushtrim po marrin pjesë katër brigada të forcave tokësore, brigadat ajrore dhe brigadat speciale.

Këtë ushtrim është duke e përcjellë nga afër edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në ushtrim po marrin pjesë gjithsej 923 pjesëtarë të ushtrisë.

Po ashtu në ushtrim po marrin pjesë edhe tanke, automjete të rënda ushtarake të këmbësorisë të njohura si M-80A, “haubica” vetëlëvizëse, tanke për tërheqje, tanke bartëse të urave, minahedhës me shumë tyta, minahedhës, aeroplanë, si dhe helikopter HN42M “Gama” dhe Mi-8, Hamera, fluturake pa pilot “Orbiter…”.

Sipas mediave serbe ushtrimi i quajtur “Sadejstvo 2018” është në kuadër të planit vjetor të Ushtrisë së Serbisë për vitin 2018.

Megjithatë, koha kur po mbahet ky ushtrim lidhet me tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa arrestimit të Marko Gjuriqit të hënën në Mitrovicë dhe kërcënimeve të hapura ushtarake të Vuçiqit në drejtim të Kosovës.