Ministria e Punëve të Jashtme, ajo e Administratës Publike dhe Ambasada e Francës në Kosovë kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për bashkëpunim në “Avancimin e Mësimit të Gjuhës Frënge për Zyrtarët e Lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkëpunimit në Fushën e Aktiviteteve për Promovimin e Frankofonisë në Kosovë”.
Nënshkrimi i saj është bërë nga Behgjet Pacolli, Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Mahir Yagcilar, Ministër për Administratë Publike dhe Didier Chabert, Ambasador i Francës.
Pacolli tha se Kosova ka dëshmuar që ka një qasje konstruktive në mbushjen e misionit dhe vlerave të organizatës së frakofonisë dhe synon të bëhet anëtare me të drejta të plota të kësaj organizate ndërkombëtare.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Dider Chabert tha se shteti i Francës do të vazhdoj edhe me tej të jetë përkrahësi më i madh i shtetit të Kosovës në të gjitha programet e sidomos në kuadër të frankofonisë.
Kurset e ofruara në kuadër të këtij Memorandumi mirëkuptimi filluan në shkurt dhe organizohen nga Aleanca franceze në Prishtinë.
Kurset janë nga nivelet A1 deri në C1 të Kornizës së përbashkët të Referencës për Gjuhët.