Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Preshevës mjerisht u vazhdua me paraqitjet arrogante të kryetarit të komunës, i cili me këmbëngulësi po e zbaton misionin e tij të mbrapshtë degradues duke e legalizuar rrugaçërinë politike në institucionin më të lartë të pushtetit lokal të Preshevës.
Me këtë rast ky kryetar komune në emër të Shqiptarëve i akuzoi Shqiptarët se ata për shkak të bojkotit të regjistrimit të popullatës të vitit 2011 kanë ngelur pa gjykata dhe prokurori!
Në këtë mënyrë paturpësisht, me qartësi trishtuese u pranua dhe u përdor retorika shtetërore për arsyetimin e diskriminimit drastik ndaj popullatës shqiptare në kuadër të sistemit gjyqësorë.
Nëse strukturat udhëheqëse të SNS - it nuk e kanë njoftuar eksponentin e tyre në krye të Preshevës për reformën e sistemit gjyqësorë, është e domosdoshme t'a informojmë se degradimi kryesor i sistemit gjyqësorë u bë në nëntor të vitit 2008, kur gjykatat komunale në Preshevë e Bujanoc u shndërruan në nivel shumë më të ulët të njësive gjyqësore, ndërsa u eliminuan krejtësisht prokuroritë komunale në Preshevë e Bujanoc, sikur që në Bujanoc e Medvegjë gjykatat për kundërvajtje u shndërruan në njësi të gjykatave të Vranjës, përkatësisht të Lebanës.
Në Kuvendin e Serbisë gjatë aprovimit të kësaj reforme u refuzuan me shumicë dërmuese të votave të gjitha amandamentet e deputetit Shqiptarë. Ky diskriminim nuk kishte mundësi të arsyetohet me bojkotin e regjistrimit sepse kanë qenë në fuqi rezultatet e regjistrimit të vitit 2002.
Në vazhdimin e reformës së sistemit gjyqësorë të vitit 2013 Bujanocit iu rikthye gjykata themelore, edhepse Shqiptarët në Bujanoc e kishin bojkotuar regjistrimin e vitit 2011 njësoj si Shqiptarët në Preshevë. Mirëpo, u refuzuan të gjitha amandamentet e deputetit Shqiptarë me të cilat kërkohej kthimi i gjykatave dhe prokurorive të eliminuara në vitin 2008 me arsyetime anticivilizuese dhe diskriminuese se në Serbi jetojnë vetëm 5.800 Shqiptarë.
Me deklaratat e kryetarit të instaluar të Preshevës po dëshmohen mjerisht paralajmërimet ogurzezë se Alternativa për Ndryshim si projekt i Qeverisë serbe ka mision kryesor shkatërrimin e organizimit të pavarur politik të Shqiptarëve si strategji për degradimin e pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në përgjithësi në Serbi.
Ky projekt anticivilizues si edhe projektet e regjimit të Millosheviqit po shkakton dëme të konsiderueshme, mirëpo edhe ky është i gjykuar të dështoj sepse është në kundërshtim flagrant me vlerat demokratike.
Këshilli për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik