Emri “Lëvizja BESA” edhe zyrtarisht i mbetet krahut që kryesohet nga Bilall Kasami, pasi Gjykata Themelore - Shkupi 2 hodhi poshtë kërkesën e krahut tjetër të BESËS.
“Gjykata Themelore - Shkupi 2 përfundimisht solli vendimin që ne e kemi thënë shumë herë në paraqitjet tona publike, se Lëvizja BESA është një dhe ajo jemi ne. Me këtë vendim të gjykatës refuzohet kërkesa e pabazuar e grupit tjetër joformal duke ua bërë me dije se organet e partisë zgjidhen nga anëtarët e saj dhe jo nga qarqe të dyshimta që nuk ia duan të mirën shqiptarëve dhe që nuk janë në shërbim të shqiptarëve. Të gjithë individët që në të ardhmen nuk do rreshtohen në Lëvizjen BESA, por do të vazhdojnë të keqpërdorin emrin e partisë, ndaj të njëjtëve do të merren masa juridike konform ligjeve të shtetit”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Por, krahu tjetër i partisë që pretendon emrin BESA, thotë se ky është vetëm vendimi i shkallës së parë, por kontesti gjyqësor vazhdon.
“Këtu po sqarojmë se Gjykata Themelore do të prononcohet përsëri pasi që së shpejti pritet vendimi i Gjykatës Administrative për falsifikimin e dokumenteve dhe zhvlerësimin e tyre, por edhe epilogu i padisë nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj falsifikuesit, gjë që detyrimisht pritet ta ndryshojë edhe vendimin e shkallës së parë. Prandaj e ftojmë anëtarësinë dhe elektoratin e Lëvizjes BESA që të mos bien pre e mashtrimeve të atyre që dinë të falsifikojnë gjithçka dhe që në fund përmbyten në falsifikimin e vetvetes së tyre, siç ka ndodhur edhe më parë me disa subjekte të tjera”,- u shpreh Skender Rexhepi.
Kasami, ndërkohë, u ka bërë thirrje anëtarëve të larguar të kthehen në partinë që ai drejton, ku i kanë dyert e hapura.