Ish-ushtarët e UÇK-së kërkojnë pastrimin e listave të veteranëve dhe invalidëve

Një grup i ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë mbajtur një protestë simbolike në sheshin “Skenderbeu” të kryeqytetit...

Një grup i ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë mbajtur një protestë simbolike në sheshin “Skenderbeu” të kryeqytetit te Kosovës, Prishtinë me anë të cilës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me listat e “fryera” të veteranëve.

Afro 30 protestues kanë vazhduar protestën para Qeverisë së Kosovës ku kanë kërkuar të takohen me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj për t’ia shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me listat dhe statusin e veteranëve dhe invalidëve të luftës.

Përfaqësuesi i veteranëve nga Zona e Llapit, Jeton Selmani në një prononcim para mediave u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve qeveritarë, si ministra e deputetë dhe atyre të shoqërisë civile që të bashkohen me veteranët dhe ta ngrenë zërin kundër degradimit të vlerave të luftës.

Duke theksuar se shoqatat e dala nga lufta në Kosovë kanë krijuar lista të reja me 45 mijë veteranë të rrejshëm, Selmani tha se nuk kanë patur përkrahjen e tyre.

Ai tha se veteranët janë në gjendje të rëndë ekonomike duke theksuar kërkesat e tyre si pastrimi i listave, verifikimi i veteranëve nga fillimi dhe shkarkimi i komisonit të tanishëm invalidor i cili, sipas tij, luftëtarët e vërtetë po i konsideron si kriminelë dhe po ua refuzon njohjen, ndërsa ata që i kanë blerë certifikatat me para e kalojnë shkallën e invaliditetit.