Vuçiq: Jam i befasuar me deklaratat e Brukselit për Asociacionin

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe do të themelohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit...

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe do të themelohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe normat e saj

Duke reaguar ndaj deklaratës së zëdhënës së BE-së, Maja Kocijançiq, e cila tha se ky Asociacion do të bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës, Vuçiq kërkoi që t’i tregojnë atij ku është e shkruar një gjë e tillë.

Vuçiq, po ashtu, u shfaq i befasuar nga ky deklarim. "Jam i befasuar me një deklaratë të tillë. 100 herë e kam thënë në Bruksel se Asociacioni themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Dua të na tregojnë se ku është e shkruar kjo gjë në marrëveshjen e Brukselit, unë e di përmendësh Marrëveshjen e Brukselit, ju mund ta gjeni atë në faqen e Qeverisë, të presidentit, të zyrës për Kosovë, një gjë e tillë nuk shkruhet askund”, tha presidenti serb për RTS mbrëmjen e së martës.

Ai shtoi se tani me rëndësi është “paqja e brendshme e Serbisë”.

Përderisa Kosova po këmbëngul që Asociacioni të bëhet në bazë të Kushtetutës së saj, përfaqësuesit e Listës Serbe, së bashku me Qeverinë serbe, kërkojnë që themelimi i tij të ndodhë duke pasur për bazë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.