Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e sheh si të rrezikshme idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë e thotë se kushdo që e përmend këtë, po përgatitet për luftë të re në Ballkan.
Ai foli edhe për dialogun me Serbinë dhe tha se është mirë që do ta udhëheqë presidenti, derisa kërkoi që të gjithë të bëhen bashkë në hartimin e një platforme që do ta nxirrte Kuvendi i Kosovës.
Për asociacionin tha se do të bëhet vetëm në bazë të Kushtetutës, e statuti i tij do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Foli për Listën Serbe për çka tha se nuk e ka pranuar largimin e saj.
Kur foli për rastin e arrestimit të Gjuriqit, Haradinaj tha se nuk i kishte pëlqyer diçka.
Krijimin e ushtrisë me votat e serbëve e sheh të pamundshme, e për këtë tha se e dinte që nga fillimi i bashkëpunimit me ta, e të cilin e quajti koalicion të zorit.
Për kryeministrin, krijimi i ushtrisë mund të bëhet me ligj brenda pak muajsh, por duhet të bëhen kalkulimet se sa mund t’iu kushtojë kjo vendit.
Sërish i është kthyer rastit të dëbimit të shtetasve turq duke thënë se lajmi i ra si nga qielli.
I është kundërpërgjigjur presidentit turk që ka thënë se do të ketë arrestime të reja në Kosovë.
Tha se askush më nuk guxon të veprojë si ditën e 30 marsit.
Për shkarkimin e ministrit më aktakuzë, Besim Beqaj, kryeministri tha se nuk mund të deklarohet tash, sepse sipas tij, aktualisht është veç lajm në media e nuk ka asnjë informacion më shumë, ani pse për të Prokuroria tashmë ka ngritur aktakuzë.