Derisa administrata e presidentit amerikan Donald Trump, është duke shqyrtuar intervenimin ushtarak mbi Sirinë për shkak të sulmeve kimike të kryera ndaj civilëve në Douma, një burim i CNBC ka deklaruar se SHBA-të janë duke i analizuar me vëmendje 8 caqe të mundshme.
Në mesin e këtyre caqeve janë dy aeroportet e Sirisë, qendra kërkimore dhe strehimorja e armëve kimike.
Sipas të njëjtit burim, ushtria siriane pjesën më të madhe të armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake i ka dërguar në aeroportet që kontrollohen nga Rusia, duke shpresuar që Washingtoni nuk do t’i bombardojë ato.
Presidenti Trump është takuar me Sekretarin e Mbrojtjes, Jim Mattis dhe gjeneralin Joseph Danford.
“Gjithë situatën jemi duke e analizuar me vëmendje, dhe po presim se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Trump.
Kujtojmë, takimi i zyrtarëve të lartë amerikanë pas situatës së tensionuar në Siri, ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret apo urdhër për intervenimin ushtarak.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka konfirmuar se takimi është mbajtur, por nuk është “marrë ndonjë vendim “.