Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, nga e cila pranoi raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
Veseli e falënderoi zonjën Apostolova për dorëzimin e raportit, duke theksuar se nëpërmjet këtij raporti, Bashkimi Evropian vlerësoi të arriturat e Kosovës në shumë fusha të rëndësishme dhe rikonfirmoi perspektivën e sigurt evropiane të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli tha se qytetarët dhe institucionet e Kosovës besojnë në projektin e Bashkimit Evropian dhe po punojnë në vazhdimësi për të përmbushur kriteret e nevojshme që sa më parë edhe Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, po ashtu ka theksuar se institucionet kosovare tashmë i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shprehu bindjen se gjatë këtij viti institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian do të marrin vendimet e duhura për të mundësuar lëvizjen e lirë e pa viza për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen.
“Institucionet e Kosovës do t’i adresojnë edhe sfidat që janë identifikuar në raportin e Komisionit Evropian, pasi vetëm kështu forcojmë dhe ndërtojmë të ardhmen evropiane për qytetarët tanë”, theksoi Veseli.