Kërkohet që të procedohet në Kuvend plotësim-ndryshimi i Ligjit për të pagjeturit

Me rastin e javës përkujtimore për të pagjeturit në Kosovë, Komisioni parlamentar ka kërkuar që sa më parë të procedohet plotësim-ndryshimi i ligjit

Anëtarja e këtij komisioni, Saranda Bogujevci, ka thënë se një ndër kërkesat e para që ka pranuar ky komision, është ai i familjeve që po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për të Pagjeturit.

Derisa ka bërë të ditur se në ditën nacionale të personave të pagjetur, më 27 prill, do të dalin me rekomandime specifike për punën që duhet bërë në këtë drejtim.

Kryekuvendari, Kadri Veseli, ka thënë se Serbia mban përgjegjësinë e plotë për shkatërrimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka deklaruar se nuk do të ndalen së kërkuari të drejtën për kthimin e të pagjeturve.
 

Në anën tjetër, Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka theksuar se kjo javë sjell në kujtesë vuajtjen e dhimbjen, për çka ka inkurajuar familjarët që të kenë forcën, kurajën dhe të shohin përpara për t’u përballur me këtë dhimbje.

Familjarët sërish kanë kërkuar nga qeveria që t’u bëhet presion ndërkombëtarëve, në mënyrë që këta të fundit t’i bëjnë presion Serbisë për t’i kthyer trupat e familjareve të tyre.

Java e të pagjeturve në Kosovë shënohet në kujtim të masakrës së Mejës së Gjakovës, e cila ndodhi, më 27 prill të vitit 1999, ku qenë vrarë e masakruar 376 qytetarë.

Edhe 19 vjet pas kësaj ngjarjeje tragjike, ende mbeten të pagjetur një numër i konsideruar i trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovës,

dhe askush deri sot, nuk është dënuar për këto krime.