Adixhiku për Telekomin: Zaptimi këtë e ka, falimenton edhe një kompani të pafalimentueshme

Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar se si në vitin 2011, kompania gjermane “Deutsche Telekom”, interesohej të privati

Në një postim të tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se kjo kompani ishte tërhequr gjatë procesit konkurrues për shkak të aferave korruptive.

“600 milionë euro mjaftonin të sillnin shumë gjëra në rend; e emri i ’Deutsche Telekomit’ jepte siguri për shumë investitorë të tjerë”, ka thënë Abdixhiku.

“Në vitin 2018, Telekomi kosovar është në prag të falimentimit. Kërkon 60 milionë euro ndihmë nga Qeveria si shpëtim. E përkundër humbjeve enorme që PTK ka sot, qindra individë militantë të koalicionit qeverisës vazhdojnë të punësohen aty. Me dhjetëra e dhjetëra secilën ditë. Zaptimi këtë ka. Falimenton edhe një kompani të pafalimentueshme!”, ka thënë më tej ai.

KTV-ja raportoi sonte se Telekomi i Kosovës është në krizë të thellë financiare dhe rrezikon të falimentojë pas 12 muajve. Për krizën financiare të Telekomit, kryesuesja e Bordit të kësaj kompanie publike Besa Shatri-Berisha, ka njoftuar Kabinetin qeveritar.

Ajo tha se humbjet për tre muajt e parë të këtij viti janë 4 milionë euro, si rezultat i rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve.

Derisa Telekomi tash për tash i ka mbi 60 milionë euro borxh.

Kryesuesja e Bordit të Telekomit, ka thënë se janë disa arsye që rrezikojnë falimentimin. Ndër to edhe shlyerja e borxhit prej 26 milionë eurove ndaj kompanisë Z-Mobile.

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura për krizën e Telekomit, Haradinaj ka përjashtuar çdo mundësi që Qeveria t’i paguajë borxhet.

Pasuria neto e ndërmarrjes publike, sipas kryesueses së Bordit të Telekomit, është 34 milionë euro.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kabineti qeveritar ka miratuar Planin Aksional për adresimin e problemeve të dala nga Raporti i Progresit për Kosovën.