Serbia po merr përgjegjësinë për krimet në Kosovë

“Besoj se secili prej jush, secili qytetarë, e sidomos familjarët e personave të pagjetur e kuptojnë ndjenjën të rritesh pa babain

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila është njëra nga nismëtarët për debatin për të pagjeturit, theksoi se pas gjithë këtyre viteve pas luftës, nuk është bërë sa duhet në zbardhjen e fatit të edhe shumë qytetarëve të Kosovës që rezultojnë të pagjetur. Madje, ajo tha se pos që nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, është keqpërdor kjo temë.

“Do doja që sot si deputet më vjen keq që nuk e kemi asnjë përfaqësues të Qeverisë këtu, të ktheheni pak mbrapa te koha kur ka përfundu lufta, ku kemi pas ndjesinë se ku janë familjarët tanë, ku kemi pasur atë ndjesinë ku kemi humbur familjarë dhe miq, ta ngritni atë ndjenjë sot këtu, sepse vetëm përmes kësaj ndjenje mund ta dimë se në çfarë kanë kaluar familjarët dhe çfarë kanë kaluar për këto 19 vite. Përgjegjësia është shumë e madhe duke filluar nga personat përgjegjës, në të gjitha aspektet që kanë kaluar qeveritë tona karshi bisedimeve me Serbinë, të gjitha krimet që i ka bërë Serbia t’iu përplaset çdo gjë në fytyrë në çdo moment, sepse ata nuk janë të interesuar për krimet që kanë bërë në Kosovë”, tha Bogujevci.

Ajo përmendi edhe lirimin e një personi i cili ishte i dënuar për vrasjen e familjes së saj, duke thënë se kjo tregon se Serbia nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë për krimet që ka bërë në Kosovë. Edhe deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili bashkë me deputeten Bogujevci e kanë iniciuar këtë debat, kërkoi nga shteti që të bëjë më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Ai përmendi edhe fatin e babait të tij, Ukshin Hoti, duke thënë se si djalë i tij e ka obligim të ngre zërin për drejtësi në kërkim të zbardhjes së gjithë personave të pagjetur për hirë të paqes dhe mos mbajtjes peng së ardhmes.

“Besoj se secili prej jush, secili qytetarë, e sidomos familjarët e personave të pagjetur e kuptojnë ndjenjën të rritesh pa babain. E kuptojnë ndjenjën e pritjes nëse do ta shoh e do ta gjejë një ditë por sot me duhet t’i mposhtë emocionet dhe të jem zëri i gjithë atyre që presin që të dinë për 1652 njerëzit tanë, për ata që dikush edhe i ka harruar, për ata që nuk e ndjejnë vendosmërinë e institucioneve tona të paktën për të ushtruar presonin të autoritetet ndërkombëtare dhe Beogradit para dhe gjatë dialogut. Qytetarët tanë ka me dhjetëra herë që dëgjojnë deklarata politike për marrëveshjen e paqes me Serbinë, për normalizimin e raporteve, por si është e mundur të normalizohen ato, si mund të arrihet paqe për brezat e ardhshëm kur njëra palë s’tregon vullnetin minimal as për çështje tërësisht humanitare”, theksoi Hoti.

Deputetja e LDK-së, Lirie Kajtazi, theksoi se Kosova vazhdon të jetë dosja e krimit të pandëshkuar në Ballkanin Perëndimor dhe vazhdon të lëngojë nga plaga e hapur me rrëmbimin e qytetarëve të saj.

“Pas gjithë këtyre viteve familjeve kosovare vazhdon t’iu mungojnë 1652 njerëz të cilët nëse e marrim në një mesatare pesë anëtarësh të familjeve, kjo nxjerrë se 8 mijë e 260 persona në Kosovën tonë të vogël vazhdojnë të vuajnë dhe të presin për të afërmit e tyre. Për rrethanat tona ky shqetësim ka përmasa edhe me të mëdha personash të shtresave të ndryshme shoqërore dhe këto shqetësime natyrisht që traumatizojnë këtë kategori e cila si numër është e vështirë të menaxhohet edhe nga shtetet me të konsoliduara e natyrisht është e vështirë edhe për Kosovën dhe konsolidimin e saj”, u shpreh ajo.

Në emër të PDK-së, deputetja Flora Brovina ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria e shtetit. Brovina u shpreh e pakënaqur me realizimin e rezolutave në lidhje me të pagjeturit. Ajo tha se asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi dhe kryerësit e krimit të dënohen sepse vetëm kjo është satisfaksioni i dhimbjeve të tyre.

“Gjithashtu kërkoi që prokuroria e shtetit të fillojë ngritjen e akuzave për krimet dhe për gjetjen e varrezave masive dhe zhdukjen e personave. Kërkoj që kjo të bëhet për varrezat në Batajnicë, në Petrovosello, në varrezat këtu në Kosovë, për krimet në Kosovë. Gjithashtu kërkoj që të filloj akuza shtetërore për humbjen ose zhdukjen e Ukshin JHotit, kërkoi gjithashtu që të zbardhet masakra në Dubravë, sepse edhe këtë e ka kryer shteti i Serbisë, sikurse tjerat”, theksoi ajo.

Debati po vazhdon, derisa aktualisht po shfaqet edhe një dokumentar për të pagjeturit.