Forca e Sigurisë së Kosovës ka përzgjedhur ushtarin më të mirë në kuadër të garës së përvitshme, që përbehet nga disiplina të ndryshme.
Ushtari Lorik Ramaj ishte më i miri i kësaj gare, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë ju takoi Berat Babaj dhe Egzon Jasharit respektivisht.
Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se qëllimi i kësaj gare është që të ngritët niveli në mënyrë që të jenë pjesë e Forcave Euroatlantike.
“Ne po e dëshmojmë që jemi forcë e respektueshme, që jemi të gatshëm të jemi në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot pa angazhimin e gjithsecilit prej juve, nga ushtari më i thjeshtë deri tek nivelet më të larta, njëkohësisht edhe me përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë”
Rreshter Major Genc Metaj, vlerësoi se kjo garë ndihmon ne motivim dhe zhvillim e ushtarëve.
“Garuesit i janë nënshtruar testit fizik, atij të njohurive, qitjes me armë, poligonit me pengesa, ndihmën e pare, vëzhgimin e terrenit, marshimin etj. Zbatimi i suksesshëm i aktivitetit të tillë është fakt që tregon profesionalizmin e nënoficerëve që ishin përgjegjës për organizim”
Në këtë garë ishin gjithsej 39 pjesëmarrës, prej tyre 22 garues nga FSK dhe 17 garues ndërkombëtar nga: Shqipëria, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Britania e Madhe, dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës.