Një termet me magnitutë 6 shkallë të Rihterit ka goditur Komunën e Obiliqit. Krejt çka ka mbetur janë rrënojat e ndërtesave të shkatërruara dhe zjarret e pa shuara. Policia e Kosovës është e para që arrin në vendin e ngjarjes, e pas saj pjesëtarët e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
Pas fikjes së zjarrit, ushtarakët e FSK-së nisin nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat e mbetura të objekteve tashmë shkatërruar. Një helikopter i KFOR-it do të bartë ata për në spitale.
E gjitha kjo në fakt është një inskenim në kuadër të ushtrimit fushor “ Shpata e Argjend 2018 -1 “ ku KFOR-i, FSK-ë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave kanë demonstruar kapacitetet në tejkalimin e fatkeqësive natyrore dhe menaxhimit të trazirave, raporton KTV.
Pas kalimit të fatkeqësisë natyrore, institucionet e sigurisë kanë testuar edhe kapacitete për menaxhimin e trazirat të mundshme.
Sipas skenarit mungesa e bukës dhe ujit, ka shkaktuar protesta të dhunshme, Polica e Kosovës si reaguesi i parë mundohet të qetësoj situatën.
Më pas intervenon edhe Policia e EULEX-it.
Por barrikadat e shumta dhe shtimi i numrit të protestuesve, e bënë të nevojshme reagimin e ushtrisë e që në Kosovë janë trupat paqeruajtëse të NATO-së, KFOR-i.
“Shpata e Argjend”, këtë vit ka qenë e rëndësishme për Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Salvatore Cuoci.
Ai ka theksuar se është hera e parë që të gjitha institucionet që ofrojnë siguri kanë bërë një ushtrim të tillë dhe ushtrimi rezultoi i suksesshëm.
Ndonëse FSK-ja ishte pjesë vetëm e ushtrimit për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, Komandanti i KFOR-it ka thënë se FSK-ja është shumë e aftë, profesioniste dhe trajnuar që të menaxhojnë situatën, por për të ardhmen e saj vendosin kosovarët.
“Parimisht nëse flisni për transformimin e FSK-së në forca të armatosura, kjo u takon institucioneve kosovare ata duhet të vendosin për këtë. Sidoqoftë pozita e NATO-s është e qartë dhe çfarëdo që të jetë transformimi duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese. Ne jemi duke i përkrahur dhe trajnuar vazhdimisht dhe i konsiderojmë partnerë andaj mezi presim që të njoftojmë bashkëpunim e partneritetin me ta”, ka thënë Cuoci.
Rreth 1 mijë pjesëtarë të KFOR-i, FSK-së, Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave kanë marrë pjesë në këtë ushtrim.