Një “shaka” që një burrë pretendon se ka bërë ndaj bashkëshortes ka përfunduar me daljen nga rruga të dy makinave dhe plagosjen e pesë personave, përfshirë edhe të një bebeje tetëmuajshe.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Duzce të Turqisë, ku Baris Bas pasi ka parë në rrugë bashkëshorten e tij me makinë, duke bërë “shaka” i është afruar tej mase me makinën e tij.
Gruaja Gulcan Bas, në panik e sipër ka përplasur makinën e një tjetër personi para saj dhe të dyja makinat së bashku kanë dalë jashtë rruge.
Siç raporton “Hurriyet”, përcjell tvklan.al makina e gruas është përplasur me një shtyllë elektrike në anë të rrugës, ndërsa makina tjetër ka fluturuar në shtratin e një përroi.
Në aksident kanë mbetur të plagosur bashkëshortja e Baris Bas, Gulcan Bas dhe shoqja me të cilën ishte në makinë.
Ndërsa nga makina tjetër kanë mbetur të plagosur burri me bashkëshorten dhe me fëmijën 8 muajsh.
Të gjithë të plagosurit u dërguan në spital, ndërsa bashkëshorti që pretendon se po bënte shaka me bashkëshorten, është larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit të rëndë.
Autoritetet kanë nisur hetimin për zbardhjen e plotë të aksidentit.