Vuçiq për rastin Ivanoviq: Autoritetet kosovare dinë më shumë sesa që thonë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është i bindur se e vërteta rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të njihet.

Vuçiq ka thënë se ka ‘indikacione të ndryshme dhe të çuditshme’ rreth rastit por kjo ka mbetur tek autoritetet kompetente.

Gjatë një interviste presidenti serb ka deklaruar se kur një krim ndodhë gjithmonë është e rëndësishme që hetimet të fillojnë nga motivi, përcjell lajmi.net.

“Pra pyetja ime është – cili mund të jetë motivi? Është thënë se vrasjen e kanë kryer serbët por asgjë s’është konfirmuar”.

Sipas tij, kur autoritetet serbe kanë kërkuar t’i shohin imazhet nga kamerat, është thënë se ishte një ditë e mjegullt dhe ato nuk janë të qarta.

“Thuhej se kamerat nuk kanë punuar atë ditë mirëpo ato kanë funksionuar, janë ‘shpjegime’ qesharake dhe të çuditshme. Në regjistrime mund të shiheshin personat të cilët kanë djegur makinën dhe janë larguar. Shërbimet tona kanë indikacione të ndryshme në kërkim të provave por gjërat mund të mbesim përgjithmonë të pazbuluara pasi janë në duar të shqiptarëve që nga fillimi deri në fund”, ka deklaruar Vuçiq.

Vuçiq ka theksuar se janë disa faktorë të përfshirë në krim dhe ka shtuar se autoritetet kosovare kanë më shumë njohuri rreth rastit por nuk i kanë bërë të ditura.