Reagon edhe Kurti për gjetjen e policëve në Lepenc

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas gjetjes së trupit të policit, Armend Trenaj.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur dhimbje për si tha ai fatkeqësinë e vdekjes së dy policëve.

Shkrimi i plotë i Albin Kurtit në Facebook:

Edhe pse shumë shpresuam që të gjendeshin të gjallë, 9 ditë pas zhdukjes së tyre u gjet edhe trupi i pajetë i policit Armend Trena, 4 ditë pasi u gjet trupi i kolegut të tij Malsor Dashit. I gjithë populli ndjen dhimbje e pikëllim për këtë fatkeqësi. Në solidaritet të plotë me familjet Trena e Dashi, shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për humbjen e dy policëve të Republikës sonë. Qeveria e Kosovës duhet të vetëdijësohet nga raste të tilla e t’i pajisë policët me sigurim jetësor. Për shkak të natyrës së profesionit, policët përballen me rrezikshmëri të lartë, prandaj secili prej tyre duhet të ketë sigurim jetësor. Po ashtu, familjarët e secilit polic që humb jetën në detyrë, duhet të marrin një status të veçantë, që t’ua sigurojë përkrahjen ekonomike bashkëshortëve, si dhe fëmijëve të tyre deri sa të arrijnë moshën madhore.