Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq, ka thënë të martën se asnjë deputet shqiptar i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në konferencën ndërparlamentare “Drejt paqes dhe zhvillimit me idenë e BE-së” që do të mbahet më 11 dhe 12 maj në Beograd.
Gojkoviq mohoi të ketë njohuri se kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, është ftuar për të marrë pjesë në konferencë dhe tha se do të interesohet për këtë, raporton agjencia serbe e lajmeve "Beta".
“Nuk di gjë për këtë. Por, sido që të jetë, deputetët e të ashtuquajturave shtete që Serbia s’i ka njohur nuk mund të vijnë sepse nuk kanë ftesë zyrtare nga parlamenti, nga Presidenti apo Qeveria e Serbisë. Ju garantoj për këtë”, tha ajo, transmeton Koha.net.
Kryeparlamentarja e Serbisë shtoi se “nëse del e kundërta, jam e gatshme të shkoj”.