Ministria e Forcës së Sigurisë tashmë e ka dorëzuar në Qeveri Projektligjin për Ushtrinë. Por ekzekutivi i vendit ende nuk ka ndonjë plan se kur do ta ketë në rend dite këtë çështje, në mënyrë që pastaj të procedohet në Kuvend.
Formimi i ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç po kërkojnë ndërkombëtarët, shihet si i pamundur
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) tashmë ia ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës Projektligjin për Ushtrinë, por ekzekutivi i vendit ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdohet përmes ndryshimeve ligjore ose kushtetuese.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se kjo çështje është krejtësisht politike dhe nuk kanë precizuar se kur do ta procedojnë në Kuvend.
Në anën tjetër, anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së nga radhët e opozitës kanë vlerësuar se patjetër duhet të gjendet një plan strategjik për të vepruar në këtë drejtim, pasi Lista Serbe po vazhdon ta bllokojë bërjen e ushtrisë, ashtu siç po kërkon bashkësia ndërkombëtare – me anë të amendamentimit të Kushtetutës.