Pavarësisht paralajmërimit se do të hartohet një draft i ri për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhurNga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se ekipi menaxhues tashmë ka nisur ta bëjë draftin për Asociacionin, porse ai ende nuk ka përfunduar.
Megjithatë, është thënë se një gjë e tillë do të finalizohet brenda katër muajve.
Nga ana tjetër ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit ka mbajtur gjatë ditës së djeshme një takim me dekanin e Fakultetit Juridik të UP-së në Mitrovicën e Veriut, Vlladan Mihajloviq.
Me këtë rast, në njoftimin e lëshuar nga ky ekip thuhet se Mihajloviq ka konsideruar se Asociacioni nuk mund të bëhet pa ndryshime të Kushtetutës së Kosovës.
Porse zyrtarë të Qeverisë kanë njoftuar se drafti, i cili do të hartohet për Asociacionin, do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të përcaktohet nëse është në përputhje ose jo me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se nuk duhet të bëhet asnjë kompromis sa i përket formimit të AKS-së.