E kjo periudhë është karakterizuar me aktivitet të lartë të diplomacisë serbe kundër procesit të njohjeve të Kosovës.
Pikërisht kjo qasje e Serbisë po thuhet të jetë njëra ndër shkaqet kryesore të ngecjes së procesit të njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës.
Zëvendëskryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë për lajmi.net se problemi kryesor qëndron në fushatën e Serbisë kundër Kosovës.
Madje ajo përmend edhe miliona eurot e shpenzuara nga shteti serb për këtë proces.
“Problemi kryesor mendoj që është fushata që po e bën edhe Serbia në raport me Kosovën duke i shfrytëzuar të gjitha mekanzimat, madje edhe në shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke insistuar që ato shtete ta tërheqin njohjen, si dhe në vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës është një lobim i fuqishëm, ku diplomacia serbe ka shpenzuar miliona euro në fushatën kundër shtetit tonë”, tha Kadrijaj për lajmi.net.
Megjithatë, ajo shton se edhe Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë duhet të jetë më aktive në këtë aspekt dhe të shfrytëzojë të gjitha mekanzimat e saj për sjelljen e njohjeve të reja.
“Unë mendoj që edhe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të jetë tejet aktive, duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat, por edhe ne si Komision Parlamentar për Punë të Jashtme duke vizituar shtetet të cilat e nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Është e vështirë ta bëjmë atë punë sepse në cdo vend që kryejmë vizita, duke njohur afërsinë e shtetit me shtet, po kërkojmë që ato vende me e shfrytëzu afërsinë qe e kanë me ato vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që edhe ata të jenë lobues për njohjen, mirëpo edhe për procesin e liberalizimit të vizave,për procesin e integrimeve të Kosovës në këshillin e Evropës, Interpol, UNESCO dhe mekanizma të tjerë”, u shpreh Kadrijaj.
Ndryshe, diplomacia kosovare u tregua e ngathët për parandalimin e tërheqjes së njohjeve të disa shteteve të cilat e kishin paralajmëruar një gjë të tillë.
Madje zëvendësministrat e Punëve të Jashtme, Anton Berisha dhe Gjergj Dedaj, vendet si Burundi dhe Guineja i kishin quajtur të parëndësishme për Kosovën.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme për stagnimin e këtij procesi, mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigje.