Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pritur në një takim të ndarë në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Europë dhe Euro-Azi, Ëess Mitchel, i cili shoqërohej edhe nga Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee.
Në kuadër të këtij takimi është diskutuar mbi nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, duke përfshirë çështjet më prioritare, zhvillimet e gjithëmbarshme politike në rajon, si dhe nevojën e rritjes së angazhimit amerikan në këtë pjesë, thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Punëve të Jashtme.
“Zhvillova një takim shumë pozitiv me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit për Europë dhe Euro-Azi, z. Ëess Mitchel dhe Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit, z. Hoyt Yee. Ri-konfirmuam bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve dhe dy popujve në të gjitha fushat. Mbështetja amerikane për Kosovën do të vazhdojë të jetë edhe më e fuqishme dhe do të ketë angazhim më të madh të ShBA-ve në Kosovë dhe rajon.
Do të jemi në sintoni të plotë në çdo hap dhe veprim. Kalimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe fillimi i dialogut Kosovë – Serbi mbeten çështje kryesore. Partneriteti dhe aleanca jonë strategjike është e palëkundur dhe e përjetshme”, ka thënë Pacolli. Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Europë dhe Euro-Azi, Ëess Mitchel, pranoi detyrën e tij të re në tetor të këtij viti, ndërsa është përgjegjës për marrëdhëniet diplomatike me 50 vende të Europës dhe Euro-Azisë, duke përfshirë NATO-n, BE-në dhe OSBE-në.