Vazhdon kërcënimi ndaj serbëve që janë pjesë e FSK-së

Një automjet i markës Opel Corsa është djegur rreth orës dy të mëngjesit të së dielës në fshatin Zupç të Zubin Potokut

Një automjet i markës Opel Corsa është djegur rreth orës dy të mëngjesit të së dielës në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se pronari i veturës së djegur është Jovan Jovanoviq, i cili jeton në Zupç dhe është pjesëtar i FSK-së. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se incidenti është shkaktuar qëllimshëm dhe ndërlidhet me kërcënimin e disa politikanëve të Serbisë kundër integrimit të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës. 

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke punuar në zbardhjen e plotë të këtij incidenti. Ndryshe, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, para një muaji pati kërcënuar me burgim serbët që kanë ndër mend të bëhen pjesëtarë të FSK-së dhe të Ushtrisë së Kosovës, duke bërë thirrje serbëve në Kosovë se në bazë të Ligjit penal të Serbisë pjesëmarrja në, siç i quajti ai, formacionet ilegale të armatosura është e dënueshme deri në 10 vjet burg.