Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës është mbajtur Akademia Përkujtimore me rastin e 19-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se zona e Drenicës kishte qenë epiqendra e lirisë dhe që asnjëherë nuk duhet harruar dëshmorët e vendit dhe sakrifica që kemi pasur që të mos na u përsëritet më dhimbja.
“Është me rëndësi tradita dhe nderimi i luftëtarëve të lirisë dhe tani janë bërë 20 vite, nuk është kjo freskia e dhimbjes sepse ka kaluar një kohë, por mos të na vijë kjo dhimbje ose mos të humbim rezultatin e kësaj sakrifice duhet të nderohen dëshmorët”, tha Haradinaj.
“Sot ne po bëjmë një punë shumë të mirë dhe afatgjatë duke nderuar dy luftëtarë sepse e meritojnë. Për Rasim Kiçinën kam dëgjuar në Dukagjin për emrin e tij dhe se kush është dhe jam i bindur që Ragipi nuk është rastësi që ka qenë krah Rasimit dhe jam i bindur që këta që nga dita e parë kanë qenë luftëtarë të vendosur dhe që kanë pasur këtë fat të flijohen”, tha Haradinaj.
“Ne sot në kohën e lirisë sonë jemi të vetëdijshëm për rrugën tonë dhe që borxhi ndaj familjeve të dëshmorëve është i përjetshëm dhe duhet ta kurorëzojmë rrugëtimin tonë me liri dhe sovranitet të plotë në shtetin e Kosovës”, shtoi Haradinaj.
Në fund të fjalimit të tij, Haradinaj, familjarëve të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilajt u dhuroi flamuj kombëtarë në shenjë falënderimi për flijimin e tyre ndaj atdheut.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se lajmi për rënien e këtyre dy dëshmorëve ka qenë një rast i rëndë dhe një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“19 vite më herët kemi kaluar sfida të rënda dhe ata muaj përballje me forcat armike në zonën operative në Drenicë. Është fakt historik që kjo zonë ka qenë qendra me rezistencën e tërë territorit të Kosovës duke bërë një luftë që ka qenë frontale dhe duke na marrë djem dhe vajza të reja të Kosovës”, tha Veseli.
“Ajo sakrificë e dëshmorëve u kurorëzua me lirinë e Kosovës dhe gjithë ata që kishin skepticizëm se çka po bëjnë ata dëshmuan se ishte rruga më e drejtë”, tha Veseli.
Veseli tha se UÇK-ja dhe trimat e prirë nga komandanti Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Shkëlzen e Luan Haradinaj, e shumë të tjerë arritën ta mposhtin ushtrinë më të fuqishme të asaj kohe.
“Duhet të kemi besim në lirinë e Kosovës dhe në shtetin e Kosovës edhe më shumë se atëherë kur ishim në periudhën më të rëndë se ky shtet të ecë përpara në rrugëtimin e vet euroatlantik”, shtoi Veseli.
“Familjarët duhet të jenë krenarë, sepse ata kanë qenë trima dhe jam krenar që unë kam pasur nderin të jem krah tyre në luftën e lirisë së Kosovës”, shtoi Veseli.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se sot në këtë përvjetor po nderohet emri, jeta dhe vepra e dy heronjve të Kosovës, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilajt.
“Kosova në shekullin e shkuar kishte kaluar në epopenë e lavdishme të UÇK-së nëpër betejat, ofenzivat dhe sprovat e shumta të vitit ‘98-99 duke thyer mitin e ushtrisë së policisë serbe duke i konfirmuar patundshmërinë e shpirtit liridashës të Kosovës”, shtoi Lladrovci.