Do të jem shumë këmbëngulës që asnjë qytetar në këtë pjesë të mos ndihet i pasigurtë dhe i shqetësuar për asgjë. Nëse është nevoja 24 orë do të jem vet i pranishëm këtu, deri sa të ketë qetësi absolute. I ftoj të gjithë qytetarët pa dallim etnie, që të kontribuojnë në drejtim të bashkëpunimit, mirëqenies dhe fqinjësisë së mirë, sepse kjo na nevojitet shumë tash dhe në të ardhmen.
Këto komente i bëri sot nga veriu kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pas sulmit në ambulantën e fshatit Suhodoll në veri të Mitrovicës, e cila frekuentohet kryesisht nga banorët serbë të kësaj pjese.
Ai ka dënuar çdo veprim të dhunshëm nga kushdo qoftë, ndërsa bëri thirrje për qetësi, dhe jo për ashpërsim të situatës.
Bahtiri ka garantuar banorët serbë të Suhodollit se do të jetë 24 orë në dispozicion të tyre me të gjitha organet relevante, vetëm që të ketë ruajtje të qetësisë në këtë pjesë, raporton KP
Ai ftoi po ashtu homologun e tij nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, që me deklaratat e tij të kontribuojë për qetësi të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Në anën tjetër, KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me kryetarin e veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, si dhe me policinë në veri, për të kuptuar më shumë rreth këtij sulmi, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Ndryshe, në ambulantën e Suhodollit që dyshohet të jetë sulmuar me gurë gjatë natës së mbrëmshme, janë dëmtuar një pjesë e dritareve, ndërsa nuk ka të lënduar.