Kush e ka akuzuar Haradinajn për përfitime të paligjshme, Muhaxheri apo gazetarja austriake

Në Gjykatën Themelore të Pejës, është mbajtur seanca për padinë për shpifje kundër kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri

Në Gjykatën Themelore të Pejës, është mbajtur seanca për padinë për shpifje kundër kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, të bërë nga kryeministri Ramush Haradinaj, raporton KTV.

Muhaxheri e kishte lidhur Haradinajn me përfitime nga biznesi i naftës dhe lojërat e fatit, por avokati i tij thotë se këto nuk ishin fjalët e Muhaxherit.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e as përfaqësuesi i tij ligjor nuk ishin këtë të martë në Gjykatë, në rastin ku ai është paditur nga kryeministri Ramush Haradinaj për shpifje.

Mungesa e tyre megjithatë nuk ishte pengesë që seanca përgatitore të vazhdojë.

Avokati i Haradinajt, Arianit Koci, duke lexuar padinë, ka arsyetuar kërkesën për kompensim të dëmit, që shkon në 250 mijë euro.

Në anën tjetër, Besnik Berisha, avokat i Gazmend Muhaxherit, në një deklaratë për KTV-në, tha se nuk ishin fjalët e tij ato për të cilat është paditur për shpifje, por të gazetares së gazetës Der Standart.

Berisha pret që padia të hidhet poshtë nga gjykata.

Gjyqtarja e rastit e ka refuzuar kërkesën që gazetarja austriake, Adelheid Wölfl, të dëgjohet si dëshmitare, derisa seanca e shqyrtimit kryesor është caktuar për 9 korrik.

Muhaxheri ishte përfolur në një artikull të gazetës austriake se e kishte akuzuar Haradinajn për përfitime nga biznesi me naftë dhe me lojëra të fatit si dhe për pjesëmarrje në operacione spastrimi ndaj minoriteteve.

Përveç padisë për shpifje, Muhaxheri, në nëntor të 2015-ës, për këtë deklaratë ishte përballur edhe me protesta nga qytetarë e veteranë të luftës në Pejë.