Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Stephanie Eble, vizitoi Prishtinën dhe më pas ka vlerësuar gjendjen në Kosovë.
Misioni i këtij stafi ishte për të diskutuar mbi zhvillimet ekonomike të kohëve të fundit dhe perspektivën ekonomike të Kosovës. Në përmbyllje të vizitës, komunikata me vlerësime bën të ditur se performanca ekonomike vazhdon të jetë e fortë, ku rritja ekonomike për 2018 pritet të jetë rreth 4 për qind.
“Inflacioni mbetet i përmbajtur dhe deficiti i llogarisë së jashtme rrjedhëse është ngushtuar, pjesërisht si pasojë e rishikimeve statistikore. Sektori bankar vazhdon të jetë i kapitalizuar mirë, likuid dhe fitimprurës”, citohet të ketë thënë Eble, transmeton Koha.net.
Sipas saj, ekzekutimi i buxhetit të vitit 2018 është përgjithësisht në binarë. “Disa mangësi në pjesën e të hyrave dhe tejkalime të shpenzimeve sociale si pasojë e moszbatimit të reformave të skemës së benefiteve priten të balancohen me kursime në fusha të tjera. Përderisa perspektiva afatshkurtre është pozitive, rreziqet fiskale janë rritur”, thuhet tutje.
Në këtë drejtim, misioni këshilloi që të mos vazhdohet tutje me projektligjin aktual për kompensimin e mësimdhënësve për shkak të kostove të larta fiskale direkte dhe indirekte që do të ngarkojnë buxhetin për shumë vite dhe tkurrin shpenzimet prioritare.
“Të avancohet me reformat e vonuara të veteranëve të luftës, të mos futen programe të reja të patargetuara të përfitimeve sociale, të përshpejtohet ristrukturimi i sektorit të ndërmarrjeve publike për t’ia rikthyer qëndrueshmërinë financiare dhe zvogëluar mosefikasitetet, të hartohet reforma e administratës publike brenda kufijve të rregullës për faturën e pagave, si dhe të monitorohet Fondi Monetar Ndërkombëtar Uashington, D.C. 20431 SHBA 2 me kujdes dhe të mbahet nën kontroll lëshimi i garancive qeveritare që do të mund të rrisnin ndjeshëm borxhin publik”, ka thënë Eble.
Ajo ka shtuar se në të njëjtën kohë, reformat strukturore për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat duhet të përshpejtohen në mënyrë që të arrihet rritja më e fortë dhe e qëndrueshme, për të cilën ka nevojë që ta ulë hendekun e madh të të ardhurave me pjesën tjetër të Evropës dhe për ta adresuar nivelin e lartë të papunësisë.
“Në këtë drejtim, misioni përsëriti nevojën për të avancuar tutje me zbatimin e reformave në arsim, qeverisje, infrastrukturë, tregun e punës, shëndetësi dhe administratën tatimore”.
Ky mision nën udhëheqjen e Stephanie Eble, vizitoi Prishtinën në periudhën 30 maj – 5 qershor.
Pikëpamjet e shprehura në këtë deklaratë, janë të stafit të FMN-së dhe ata gjithashtu njoftojnë se nuk përfaqësojnë medoemos pikëpamjet e Bordit Ekzekutiv të FMN-së. “Ky mision nuk do të pasojë me diskutime në nivel të Bordit”, thuhet në përfundim.