Kuvendi i Maqedonisë, e miratoi kërkesën e Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe ua ka hequr imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore Publike për “rrezikim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”.
Koordinatori i LSDM-së në Kuvend, Tomisllav Tuntev, gjatë debatit kuvendor për heqjen e imunitetit të 6 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, tha se kanë dy opsione, edhe atë, ose Maqedonia të kthehet në rrugën e drejtë, ose të ketë drejtësi selektive.
“Ndodhemi përpara zgjedhjes së dy opsioneve, nëse do të lejojmë që proceset e drejtësisë të kthehen në rrugën e drejtë, apo edhe më tej në këtë shtet do të ketë drejtësi selektive. Në 27 prill jetët dhe shëndeti i deputetëve, shërbimeve kuvendore, gazetarëve dhe punëtorëve medial kanë qenë të rrezikuara. Atë ditë që ka ndodhur ka qenë kundër të gjithë të drejtave ligjore, por edhe njerëzore. Ajo ditë që ka hyrë në ditët e turpshme të historisë së shtetit, patjetër duhet të pastrohet. Kthimi i shtetit ligjor është e patjetërsueshme për shtetin tonë, ndërkaq Kuvendi duhet të jetë shembull për atë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët”, tha Tuntev.
Sipas procedurës, Kuvendi vendimin për heqjen e imunitetit duhet ta dorëzojë në Gjykatë Themelore Shkupi 1, ndërkaq pas kësaj pritet që me urdhër të Gjykatës, të paraburgosen deputetët: Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Lupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e 25-të debaton për heqjen e imunitetit për gjashtë deputetët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, për shkak të paraburgimit për ngjarjet e 27 prillit në Parlament. Deputetët po e bojkotojnë seancën plenare, ndërkaq për heqjen e imunitetit nevojitet shumicë e thjeshtë prej 61 votave.
Me këtë do të përfundojë procedura e paraparë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutës për heqjen e imunitetit të deputetit për Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski.
Është e qartë se Kuvendi do t’ua heqë imunitetin deputetëve, por edhe përkundër kësaj, ata, sipas legjislaturës dhe Kushtetutës, do të mbeten në funksionin e deputetit derisa aktvendimi i mundshëm i Gjykatës penale nuk bëhet i plotfuqishëm dhe nëse deputeti është i dënuar për vepër penale për të cilën është caktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej së paku pesë viteve.
Mbledhjen e Parlamentit për heqjen e imunitetit, spikeri Talat Xhaferi e caktoi pasi që dje Komisioni për Çështje të Rregulloreve dhe të Mandatit dhe Imunitetit me votim individual vendosi t’ua heqë imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Në mbledhje morën pjesë deputetët e LSDM-së, si dhe disa nga BDI dhe BESA. Të zgjedhurit e popullit nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, si dhe deputetët për imunitetin e të cilëve u debatua, edhe pse të ftuar, nuk morën pjesë në mbledhje.
: Komisioni ua hoqi imunitetin 6 deputetëve të VMRO-së, sot voton Parlamenti
I vetmi që foli në mbledhje ishte deputeti Aleksandar Kiracovski nga LSDM, i cili shkurtimisht vlerësoi se ngjarjet e 27 prillit ishin sulm ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues të vendit dhe tentativë për rrezikimin e jetës së deputetëve nga opozita e atëhershme. Institucionet e Republikës së Maqedonisë, sipas tij, kanë detyrë ta zbardhin këtë rast për të mos u përsëritur më asnjëherë. Situata, shtoi ai, është shumë e pastër, faktet janë të dukshme, argumentet janë më të mëdha se të gjithë ne.
Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së doli me kumtesë në të cilën thekson se vendimi i Komisionit për Çështje të Rregulloreve dhe të Mandatit dhe Imunitetit nuk është bazuar në fakte dhe argumente, por në dëshirën për revanshizëm politik të LSDM-së dhe ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, por edhe ndaj shumë qytetarëve.
Ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se fajtorët për dhunën në Kuvendin e RM-së më 27 prill duhet të përgjigjen, por se duhet të respektohet edhe presumcioni i pafajësisë.
Gjashtë deputetët janë pjesë e 36 personave të cilët Prokuroria Themelore Publike i ndjek për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.