Deputetja e PDK-së Blerta Deliu- Kodra që është e dëmtuar në procesin gjyqësor kundër katër deputetëve të VV-së për hedhje të gazit lotsjellës tha se kishte dëgjuar Albin Kurtin të thotë se këtë vend duhet me kallë.
“Kur ka ndodh hedhja e gazit lotsjellës nga Kurti është e vërtetë se e kam dëgju Kurtin kur ka thanë se duhet me i dhez edhe 50 të tjera dhe se këtë vend duhet me kallë”, tha Deliu duke përshkruar atë që ndodhi në seancën e Kuvendit më 8 tetor 2015.
Deputetja më pas tregoi se atë ditë e kishte parë Kurtin duke hedhur gaz lotsjellës. Kurti tha se një deklaratë të tillë nuk e ka thënë kurrë, ndërsa pyeti Blerta Deliun – Kodrën se pse e tha këtë gjë vetëm kur e ballafaqoi prokurori.
Blerta Deliu- Kodra para se të reagonte për fjalët që dëgjoi nga Kurti, kishte thënë se kur u hodh gazi lotsjellës nuk kishte dëgjuar asgjë nga ajo që ishte folur në seancë, pasi prookupim të vetëm e kishte të dilte më shpejt nga seanca.
Kurti e pyeti Deliu-Kodrën se si ishte e mundur që ka deklaruar se edhe nuk ka dëgjuar asgjë, po edhe e ka dëgjuar deklaratën e tij se “këtë vend duhet me kallë”. “Unë pyetjen e prokurorit e kuptova kinse kur kam dalë jashtë objektit e jo kur kam dalë nga ulësja jem e Kuvendit. Dhe jam e bindur se atë fjale e kam dëgju”, tha Deliu- Kodra.
Deputetja më tutje tregoi se atë ditë në seancën e Kuvendit së pari ësghtë tentuar të pengohet fjala e Xhavit halitit, e më pas edhe e Adem Grabovcit.
“Është gjuajtur me ujë, pastaj me vezë, pastaj ka pasë një tentim të dytë për me ndërpre fjalën e kryesuesit”, tha Blerta Deliu, duke treguar se vezët janë hedhur nga Albulena Haxhiu. Blerta Deliu më herët deklaroi se e rezervon të drejtën për të kërkuar kompensim për dëmin.