Edi Rama e lartëson Erdoganin, e admiroja edhe kur nuk e njihja

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur fjalë të mëdha për Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur fjalë të mëdha për Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Ai ka thënë se Erdogan është një figurë që e ka inspiruar kur ishte si kryebashkiak. Ndërkohë, Rama ka folur edhe atë që Erdogan dëshiron të dëgjojë për Fetullah Gylen duke përmendur influencën negative të shkollave të tij në Shqipëri.

Rama ka thënë se për të Erdogan është një figurë inspiruese duke theksuar se raportet me të bazohen në respekt të ndërsjellë.

" Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën” ka thënë Rama.

“Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që 'po' është 'po' dhe 'jo' është 'jo'" ka shtuar ai.

Rama ka folur edhe për shkollat e Gylen duke përmendur influencën negative të shkollave të tij.

“Është me shumë rëndësi të kuptohet se ne jemi të përkushtuar për të ofruar një shërbim sa më të mirë arsimor në të gjithë territorin dhe paralelisht patjetër për të mos lejuar që influenca negative të natyrës që ju përmendet (kërcënimit të FETO-s) të kenë hapësirë dhe të cenojnë pikërisht misionin që ka arsimi në Shqipëri”, ka deklaruar Rama për AA.

Madje, ai ka folur edhe për atë që Erdogan e quan grushtet në Shqipëri e që sipas tij nuk dëshiron të ndodhë edhe në Shqipëri.

 “Ne jemi shumë të vëmendshëm. Kemi të gjitha arsyet të mbetemi shumë të vendosur në qëndrimin e shprehur që në minutat e para të grusht shtetit se bëhej fjalë dhe bëhet fjalë për një kërcënim serioz, që ne nuk do të donim në asnjë mënyrë ta shikonim, në asnjë formë sado margjinale në vendin tonë”, tha kryeministri shqiptar.

Rama ka përdorur edhe terma “islamofobi” dhe “turkofobi” duke thënë se ato rrjedhin nga injoranca.

"Edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian forca apo individë të caktuar i fryjnë këtij zjarri shumë të rrezikshëm duke bërë një padrejtësi të madhe, jo vetëm ndaj fesë islame, por ndaj njerëzve, ndaj popujve, ndaj komuniteteve, familjeve që besojnë tek Islami dhe përfaqësojnë të gjithë gjerësinë dhe butësinë e Islamit. Shprehjet e islamofobisë apo turkofobisë janë shprehje të një padije dhe të një arrogance që buron në radhë të parë nga padija. Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë", shprehet Rama.