Reagime të ashpra ka ngjallur në Shqipëri, shpallja “Qytetar Nderi” i Hasit i Gafurr Mazrekut, atentatorit të Azem Hajdarit.
Me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafurr Mazrekun, “Qytetar Nderi”, me motivacionin “Personalitet Intelektual, me kontribut të pashoq ne Pushtetin Vendor”.
Në historinë shqiptare Gafurr Mazrreku njihet si i vetmi njeri që ka shkrehur një armë në ambientet e Parlamentit. Ishte viti 1997 kur Mazreku, atëherë deputet i Partisë Socialiste, qëlloi në drejtim të rivalit të tij demokrat, Azem Hajdari, duke e plagosur atë.
Për këtë, Gafurr Mazreku u dënua me 8 vjet burg, ndërsa 21 vjet më pas nderohet nga Këshilli Bashkiak i Hasit.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, që vjen nga partia e Hajdarit, ka reaguar duke thënë “terrorizmi ushqehet në Tiranë”.
Dekorimi i atentatorit të Azem Hajdarit ngjall reagime të ashpra në Shqipëri
“Të dashur miq, sot u krye akti politik që noterizoj një akt terrorizmi. Në botën e civilizuar terrorizmi është shfaqur në format nga më të ndryshmet. Në Shqipërinë demokratike pas 50-vitesh të terrorit komunist ai u shfaq me vrasjen politike, në institucionet më të larta të shtetit, të liderit të lëvizjes demokratike për rrëzimin e diktaturës më të egër të Evropës së pasluftës, Azem Hajdarit”, ka thënë NIshani.
Nishani ka thënë se atentati për vrasjen e tij, në mesin e Parlamentit, në tribunën e fjalës së lirë ishte padyshim një akt i pastër terrorist.
“Sot, pas dënimit ligjor që ky atentator bëri, ai nderohet zyrtarisht me medalje mirënjohje.. Sot terrorizmi noterohet me mirënjohje nga pushteti politik !!! Nuk ka asnjë dyshim që ideja djallëzore, dora e fshehur, synimi i poshtër ndodhet në mes të Tiranës dhe jo atje në Hasin e izoluar dhe varfëruar. Noterizimi i aktit terrorist ndaj studentit liberator të lindjes së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipërinë post-diktaturë, konfirmon urrejtjen dhe revanshin e xhelatëve ndaj një populli që vendosi ti rrëzoj ata 25 vite më parë pas një kalvari gjysëm shekullor të pushtetit absolut e vrastar”, ka thënë Nishani, përcjell Koha.net. “Ky provokim i ulët që në të vërtetë vjen nga mesi i bulevardit të Tiranës nuk është se motivohet nga ‘meraku’ për militantët e tij në Has. Ata mjeranë thjesht po keqpërdoren siç u keqpërdorën për 50 vite me radhë që të justifikoheshin pushkatimet, burgosjet, internimet, shpronësimet, varfërimi dhe shkatërrimi i genit të një populli të tërë”, ka thënë më tej ai.
Noterizimi që ju bë sot aktit terrorist ndaj tribunit të lirisë është “cartabianca” që pushteti po i jep goditjes terroriste ndaj opozitës politike, ka thënë më tej Nishani.
“Sot u dekonspirua publikisht platforma e urrejtjes ndaj modelit të një sistemi të lirë dhe demokratik. Ky akt nuk mund të trajtohet si një limonadë e prishur në mes të zagushisë politike.
Sot, shqiptarët kanë më shumë se kurrë më parë, përgjegjësinë të bashkohen për të ndalur modelin e urrejtjes, terrorit, përçarjes, nënshtrimit, friksimit i cili synon të fsheh planin ogurzi të një copëtimit të ri të territorit shqiptar që po përgatitet në interes të ruajtjes së pushtetit të grabitjes, varfërimit dhe korrupsionit”, ka thënë ish-presidenti Nishani.
Ka reaguar edhe Partia Demokratike, që ka thënëse “asgjë nuk mund ta justifikojë Edi Ramën në vendimin kriminal për të dekoruar njeriun që qëlloi me armë brenda sallës së Parlamentit Liderin e Lëvizjes Studentore Azem Hajdari!”.
Firma e prefektit nuk është zgjidhja! Është vetëm një mjet që Edi Rama të mos marrë përgjegjësi!
“Edi Rama nuk mund të lajë duart si Ponc Pilati dhe të fshihet pas Prefektit, sepse Kryetari i Bashkisë së Hasit është i tij, se ai ishte në dijeni të propozimit të kryebashkiakut të tij dhe, mbi të gjitha, Edi Rama ka në dorë ta shkarkojë atë. Që të tregojë distancim të vërtetë prej vendimit kriminal, Edi Rama duhet ta shkarkojë sot Kryetarin e Bashkisë së Hasit, përfaqësues i Partisë Socialiste, i zgjedhur nga Edi Rama”, ka thënë ai.
PD thërret Ramën “të ruajë të njëjtin standard si me këshilltarët e Kukësit që morën pjesë në protestë, të cilët, në pamundësi për t’i shkarkuar, i përjashtoi nga Partia Socialiste”.
“Derisa të bëjë këtë akt të vërtetë distancimi, Partia Demokratike e konsideron Edi Ramën si urdhëruesin e dekorimit të atentatorit të Azem Hajdarit, për të cilin do të mbajë përgjegjësi personale!”.
Ndërkohë, e bija e Azem Hajdarit, Rudina, tashmë deputete, tregon për To Channel se si e përjetoi këtë vendim.
“Ky është një akt i shëmtuar. Nuk dua t’i futem thellë shumë këtij debati, sepse i gjithë opinioni publik e di që ky është një akt shumë u shëmtuar për popullin shqiptar. Për vetë faktin se ky njeri ishte i pari që bëri një akt të tillë në Parlament. Ky është një njeri që është dënuar dhe është kriminel. Nuk ka hapësirë për të justifikuar këtë gjë. Por nga ana tjetër të mos harrojmë se ishte Azem Hajdari që e fali këtë njeri. Më vjen keq që ne po promovojmë që persona të tillë të lartësohen në këtë mënyrë”, u shpreh Rudina Hajdari.