Hashim Thaçi s’e ka ndërmend ta dëgjojë fjalën e fundit të partive politike për t’ia dhënë atij miratimin që të jetë në krye të negociatave. Në rolin e prijësit, shefi i shtetit do të niset të dielën në Bruksel. Aty do të takohet me homologun e tij nga Serbia, Aleksander Vuçiq, dhe shefen e BE-së për politike të jashtme, Federica Mogherini.
Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, e ka konfirmuar takimin me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet të dielën në Bruksel. Ai sot e bëri të ditur se e ka pranuar ftesën nga Federica Mogherini dhe se tashmë ia kanë konfirmuar asaj pjesëmarrjen e ekipit nga Kosova.
“Kemi pranuar ftesën si president i vendit nga zonja Mogherini për të vazhduar dialogun në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani por edhe për të shikuar arritjen përfundimtare të Kosovës me Serbinë.
Kemi konfirmuar pjesëmarrjen, ekipet tona do të takohen në ditët e ardhshme, takimi mes presidentëve do të ndodhë të dielën. Do të kemi kontakte të vazhdueshme me gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë që të kemi koordinim më të mirë”, u shpreh sot Presidenti.
E përderisa i pari i vendit po flet me shumë siguri si lider i këtyre negociatave, partitë politike ende nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim se çfarë do të jetë pikëpamja e tyre karshi rolit të tij në këto bisedime.
Sidoqoftë, njëra nga gratë më të votuara në Kosovë por edhe në partinë e Isa Mustafës Vjosa Osmani vazhdon të jetë kundër presidentit Thaçi në këtë proces.
Ajo, për dallim nga zyrtarët tjerë të lartë të kësaj partie, nuk po e do Thaçin si kryenegociator. Të tjerët, pra zyrtarët e LDK-së, i kanë zbutur qëndrimet për ish-kreun e PDK-së dhe praninë e tij në dialogun me Serbinë.
Por Vjosa Osmani, në një përgjigje për Express duke e komentuar nisjen e Presidentit në Bruksel të dielën, tha se pa mandatim të Kuvendit, ai mund të flasë vetëm në emrin e tij personal.
“Thaçi, pa u mandatuar nga Kuvendi, mund të flasë e negociojë vetëm në emër të tij personal, por jo në emër të Kosovës”, u shpreh ajo.
Në Qeverinë e Kosovës nuk e kanë komentuar as edhe një fjalë se çfarë ndodhi me platformën e saj e cila u tërhoq nga Kuvendi për t’i dhënë hapësirë partive politike që t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre se kush duhet të jetë në këto bisedime. Kësisoj, platforma që e mandatonte Thaçin në krye të negociatave, ka mbetur në hije.
Takimin e së dielës, sot, e kanë konfirmuar edhe në Bruksel. Zyra e Federica Mogherinit ka dalë me komunikatë ku është konfirmuar se të dielën në Bruksel do të takohen Thaçi e Vuçiq.
Mogherini dhe presidentët thuhet se do të vazhdojnë punën e tyre për normalizim të raporteve, do të shqyrtojnë marrëveshjet ekzistuese dhe do të diskutojnë hapat në vazhdim të një faze intensive të bisedimeve