Gazetari i cili po hetonte vrasjen e Ivanoviqit thotë se ishte kidnapuar, policia nuk i beson

Gazetari serb nga Bela Crkva, Stefan Cvetkoviq, i cili hetonte vrasjen e liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq

Gazetari serb nga Bela Crkva, Stefan Cvetkoviq, i cili hetonte vrasjen e liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar sot gjatë një konference për media se gjatë të mërkurës tre persona e kishin rrëmbyer, ku dhe njëri prej tyre kishte armë dhe distinktiv që i ngjante shumë atij të policisë.

Megjithëse ai ka pranuar se nuk është ushtruar dhunë fizike ndaj tij, ai ka thënë se për asnjë moment personat e panjohur nuk kishin komunikuar me të.

Sipas Cvetkoviq, gjatë periudhës sa ishte i rrëmbyer, ai i kishte sytë e mbyllur dhe nuk mund të shihet asgjë, apo të dinte se ku dhe me kë ishte.

Madje sipas gazetarit serb, njëri nga rrëmbyesit kishte theks slloven.

“Askush nuk policia nuk më ka gjetur. Në ato momente i telefonova një zyrtar policor që ia di numrin”, ka deklaruar Cvetkoviq, duke shtuar se ai polic menjëherë ka shkuar për ta marrë dhe dërguar në Beograd së bashku me shefin e policisë në Pançevë dhe përfaqësuesen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dijana Hrkaloviq”, shtoi më tutje Cvetkoviq, transmeton lajmi.net.

E ky version i ngjarjes po dyshohet se është i vërtetë.

Drejtori i policisë serbe, Vladimir Rebiq, thotë se ekzistojnë shumë mospërputhje mes deklaratës së Cvetkoviqit dhe provave të mbledhura në terren.

“Nëse përmendim provën kryesore, duhet të përmendim se nuk kishte ADN të dikujt tjetër përpos Cvetkoviqit të gjetur në skenën e krimit. Megjithatë, ai ka përmendur se njëri nga personat i ka hequr me forcë orën e dorës, dhe i njëjti në atë moment nuk kishte të vendosura dorëza”, u shpreh Rebiq.

Rebiq përmend edhe testin e poligrafisë, në të cilin thotë se Cvetkoviq ka dhënë shumë shenja që nuk është duke thënë të vërteten.

“Kamerat e sigurisë nuk e vërtetojnë se Cvetkoviq ka lëvizur nëpër rrugët që ai thotë se ka qenë duke lëvizur, dhe nuk ka asnjë veturë të dyshuar që mund të ketë ndjekur”, shtoi Rebiq.

Në fund, Rebiq tha se 90 për qind e ekspozimit të Stefan Cvetkoviç në opinion është i palogjikshëm dhe se mënyra se ai e paraqiti ngjarjen tek gazetarët dhe publiku është një komedi.

Ndryshe, Cvetkoviq tash e një kohë është duke u marrë me hulumtime rreth vrasjes së liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq, vrasje për të cilën ai pretendon se e di se kush mund ta ketë porositur.