Data 3 dhjetor shënon 3 vjetorin e themelimit të ”Qëndrimit Ditor" për fëmijët me aftësi të veçanta, me rastin e kësaj dite "Qendra për punë sociale" në Preshevë ka organizuar një koktej ku të pranishëm ishin drejtori i "Qendrës për punë sociale", pedagoget, fëmijët e qendrës, prindërit e fëmijëve si dhe familjarë të tjerë.
Gjatë manifestimit të kësaj dite entuziazmi dhe lumturia dukej në fëtyrat e fëmijëve, ku ata recituan poezi, kënduan këngë, si dhe dëgjuan muzikë të shoqëruar nga pedagoget e tyre.
Tashmë 3 vite këta fëmijë me aftësi të veçanta kanë një strehë të tyren, ku takohen me shoqërinë, socializohen, mësojnë gjëra të reja dhe kjo tashmë është bërë si një shtëpi e dytë, duke i konsideruar shokët dhe pedagogët si një familje të madhe të tyren.
Drejtori i "Qendrës për punë sociale" Liridon Latifi tha që kjo është një ditë shumë e veçantë si për fëmijët ashtu edhe për vetë stafin që kur "Qëndrimi Ditor" ka filluar me funksionimi e tij, dhe kjo gjë tashmë është bërë traditë që cdo vit të festohet përvjetori i themelimit të tij.
Poashtu edhe prindërit e fëmijëve u shprehën shumë të kënaqur në lidhje me këtë ditë, duke qenë se "Qëndrimi Ditor" është ambienti ku fëmijët e tyre arrijnë që të mësojnë dhe të inkuadrohen në shoqëri edhe pse gjithmonë ka mundësi të punohet më shumë dhe më mirë.
"Qëndrimi Ditor" paraqet një qendër shumë të rëndësishme të edukimit dhe të socializimit për një shtresë shumë delikate të shoqërisë sonë, por ne shpresojmë që këta fëmijë të mos mbeten brenda atyre mureve por që popullata jonë të sensibilizohet dhe ti pranojë ata në rrethin e tyre shoqërorë.