Tre studentë kosovarë pjesë e ekspozitës “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” në Kore të Jugut (Foto)

Tre studentët nga universiteti “Kosovo Art Academy” kanë arritur të bëhen pjesë e ekspozitës “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” në Kore të Jugut ..

Tre studentët nga universiteti “Kosovo Art Academy” kanë arritur të bëhen pjesë e ekspozitës “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” në Kore të Jugut duke përfaqësuar artin kosovar me punimet e tyre, shkruan KultPlus.

Vlen të theksohet se të lartpërmendurit sapo kanë mbaruar studimet e vitit të I-rë në Kosovo Art Academy në departamentin e Dizajnit grafik dhe Multimedias të udhëhequr nga prof. Rrezeart Galica.

Ekspozita ndërkombëtare “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” është iniciuar menjëherë pas pajtimit të dy Koreve, asaj Jugore dhe Veriore.

Organizuar nga komuniteti i dizajnerëve, në esencë kjo ekspozitë ka pasur disa kategori tematike si: Paqja, Uniteti, Liria dhe Ekologjia.

Në thirrje ishte dhënë shpjegimi se Koreja e Jugut, e cila është thurrur nga 155 milje tela me gjemba për 65 vjet pas marrëveshjes së armëmbajtjes në vitin 1953, tani duhet të heq telat me gjemba dhe të gjejë formën e saj origjinale. Duke theksuar se imazhi që dizajnerët duhet të japin anembanë botës është për të mirën e unifikimit të Koresë.

Selektimin e punimeve e kanë bërë Hwang Mansok dhe Byoung II Sun, profesorë në universitetet e artit në Seul.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për një muaj dhe gjithashtu do të rihapet në disa qytete të Koresë Jugore.