Skandal/ Ja si trajtohen nxënësit në Institutin e Fëmijëve që nuk shikojnë (video)

Një investigim disa ditor i emisionit “Boom” ka nxjerrë në dritë të vërteta të dhimbshme mbi trajtimin që u bëhet këtyre fëmijëve të moshës 5-15 vjeç.

Një investigim disa ditor i emisionit “Boom” në institutin shtetëror të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, ku morën pjesë disa gazetarë, ka nxjerrë në dritë të vërteta të dhimbshme mbi trajtimin që u bëhet këtyre fëmijëve të moshës 5-15 vjeç.

Pavarësisht se për këtë shkollë jepet një fond jo i vogël nga shteti shqiptar, kushtet më minimale janë skandaloze. Dhe po flasim për kushtet minimale të të ushqyerit. Kamerat e fshehta të gazetarëve tanë kanë rregjistruar rrëfimin se për 66 fëmijë egziston vetëm një frigorifer i vogël edhe ai i ndryshkur.

Ushqimi, kuota ditore sipas drejtorit është 2.200 lekë (të vjetra), jo pak herë është jashtë standarteve. Kamera ka arritur të kapë një drekë vetëm me fasule, ndërkohë që drejtori ka pohuar se nuk mungojnë sallata dhe frutat. Jo vetëm kaq.

Për darkë, emisioni “Boom” ka kapur një tavolinë të shtruar me një fetë bukë me çokokrem dhe një gotë qumësht, e vetëm pak minuta më pas vetë fëmijët shprehen se ushqimi nuk hahej. Fëmijët, (të mos harrojmë janë me probleme shikimi), përdoren edhe për të zëvendësuar rojen, apo zgjohen disa prej tyre që në 6.45 të mëngjesit për të qenë në kuzhinë.

Letra e një fëmije të këtij instituti mbërritur në redaksinë e “Boom” ka përshkrime akoma më të pabesueshme, si ushqime që rrinë në magazinën e mbushur me minj dhe mace, salçiçe të thartuara. Kur vijmë tek higjena fëmija pohon se shumë prej shokëve të tij janë me parazitë sepse kujdestarët kanë thënë se nuk ka shampo. Po ashtu peshqirët e çarçafët janë të konsumuar prej vitesh.

Sipas këtij fëmije, kjo letër u është dërguar edhe në zyrat e kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Avokatit të Popullit. Emisioni “Boom” ishte institucioni i fundit ku janë drejtuar këta fëmijë që nuk kërkojnë as luksin e zyrës së drejtorit dhe as vëmendjen e kamerave të zyrtarëve shqiptarë; thjeshtë kërkojnë trajtim njerëzor, ushqim, veshje dhe pak dashuri.