Pas delegacionit të Kosovës, Mogherini takoi delegacionin serb

Pas takimit të delegacionit të Kosovës, Mogherini takon atë serb...

Përfaqësuesja e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit të krerëve shtetëror kosovar, në Bruksel, ka takuar delegacionin e Serbisë.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijancic, përmes rrjetit social Twitter.

Ajo ka thënë se në takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Marko Gjuriq, do të diskutohet për dialogun Kosovë- Serbi.

Kujtojmë, se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli e Dardan Gashi në orën 10:00 kanë përfunduar takimin me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në Bruksel.

Me të dalë nga ky takim lidërtë e Kosovës janë shprehur optimist që liberalizimi i vizave do të ndodhë në fund të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se Komisioni Evropian sot jep vlerësimin për vizat, ndërsa që Parlamenti Evropian, pritet ta bëjë një gjë të tillë në fund të muajit gusht.

Kryeministri ka thënë se më pas do të merret vendimi nga Këshilli i Ministrave të BE-së, ku sipas tij aty do të jetë pak më e vështirë, por ka shprehur bindjen që në fund të vitit kosovarët do të lëvizin pa viza.

“Shpresat janë reale që në fundvit të lëvizim pa viza, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Vesei ka thënë se në vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi do të ketë unitet edhe të opozitës.