Vetëvendosje: Përveç dorëzimit të tokës, tash duhet Kosova të bëjë edhe lëshime të tjera prej sovranitetit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me takimin që ka zhvilluar delegacioni i Kosovës sot në Bruksel për dialogun më Serbinë...

Kjo parti duke përmendur Haradinajn, Veselin e Limja si pjesë të këtij delegacioni të prirë nga presidenti Thaçi ka thënë se ky ata janë personat më kontrovers.

“Sot një delegacion me krerët më të lartë shtetërorë, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, pra me personat më kontravers në vend, kanë shkuar në Bruksel për të nisur fazën përmbyllëse të negociatave politike me Serbinë, si dhe për ta tregtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje vlerëson se përzija e dy temave, liberalizmit të vizave dhe dialogut është kriminale.

Po ashtu në komunikatë thuhet se përveç faljes së tokës për liberalizim të vizave tash po përgatiten lëshime tjera prej sovranitetit.

“Përzierja e këtyre dy temave është në vetvete kriminale, si dhe momenti i zgjedhur për lëshimet që ia bëjnë Serbisë e Vuçiqit duke i fshehur ato nën lajmin rreth liberalizimit të vizave. Sikur nuk mjaftoi dorëzimi i 8200 hektarëve, tash duhet Kosova të bëjë edhe lëshime të tjera prej sovranitetit të saj”, thuhet në komunikatë.

“Qeveritarët ndoshta po përgatisin fishekzjarre për ta festuar liberalizimin, por vajtja e tyre në dialog me Vuçiqin nuk është as konsensuale, as legjitime e as ligjore. Opozita e ka kundërshtuar shumë këtë mënyrë të dialogimit dhe negocimit, dhe sot ajo është shumica e popullit. Parlamenti nuk e ka mandatuar këtë ekip, e sidomos Hashim Thaçin për të negociuar”, thuhet tutje .

Sipas VV-së ky proces, nuk do të njihet.

“Në Bruksel po bëjnë pazar pa hanxhinë, kanë fluturuar atje pa shkuar fillimisht në Kuvend. Këta e kanë kundër, jo vetëm VETËVENDOSJE!-n, por gjithë opozitën dhe shumicën dërrmuese të popullsisë së Kosovës për t’i shmangur planet e kahmotshme katastrofale të Serbisë për Kosovën”, thekson Vetëvendosje